Pse e bëre këtë gjëmë?!

Moj nënë e re, zemërdëshpëruar

në prehërin tënd rrite tre fëmijë,

që në embrion me ‘to ishe dashuruar,

barkun tënd i mbrojte si Shën-Mërì.

Moj nënë e re që fale dashurinë,

dhe shpirtin e kishe me dhembshuri plot, vendose të braktisje jetën dhe fëmijtë,

në Bunë u hodhe, duke e mbushur me lot.

Ky gjest nuk ndodh nga një nënë,

se nëna i fal jetën, e mbron fëmijën e vet

në ujërat mbuluar me mështenka nën hënë,

perënditë klithën, Zoti me tre ëngjëjt flet.

Dikur me foshnjën në gji, nga bedenat

në dorë të turqve për mos rënë,

hidheshin trimëreshat heroike, nënat

dashurinë e mbronin me thonj e dhëmbë.

Moj nënë, nuse e re, kush ishte shkaku

pse katër jetë i humbe pa mëshirë sot,

pse shoqëria hesht e krijon rrëke gjaku,

Shkodra dhe gjithë njerëzìa derdhin lot.

Dëgjoje zërin që del nga shpirti i një nëne,

i një gruaje që për jetën e vet ka luftuar,

për krijesat e veta ka notuar nëpër valë,

dhe për ‘to mbi dallgë të egra ka mbijetuar.

Moj nënë e re, nuse e bukur, hyjneshë

pse moj, pse e bëre këtë gjëmë, tragjedi

erdhe nga një nënë me virtyte, hire vesh

ajo të fali jetë e të dhuroi vetëm dashuri.

Dhe nga fundi, tej Bunës, një zë si hon

është zëri yt në prehër me tre fëmijë,

me dashurinë e nënës, fort i shtërngon

thua që si grua nuk e durova pabesinë.

Isha pranverë, ndaj s’e durova tradhëtinë

s’e pranova që një mëkatare, dorë tjetër

të më vriste ëndrrën time dhe fëminë,

u flijova rrëzë kalasë me legjendë të vjetër.

Trandafile Molla (Baja)

Novara, Itali.

Lini një koment

Në modë

Blog te WordPress.com.