NJË SHPIRT i GJËRË SA BOTA

Xosyat Rustamova (Hosiat Rustamova) është një poete e njohur, madje tepër e njohur, në vendin e saj, Uzbekistan, një vënd me popullsi prej 36 milionësh. Poeza e saj prej vitesh ka tërhequr vëmëndjen e lexuesve të huaj, përmes përkthimeve dhe botimeve të librave të saj me poezi, krahas tjerësh, në ShBA, Angli, Rusi, Turki, Vietnam.

Është kryeredaktore e gazetes më të madhe letrare të vendit të saj, titulluar ‘Kitob Dunyosi, – që besoj se në shqip mund të përkthehet Letersia Botërore ( ‘Librat e Botës,- në një përkthim fjalë për fjalë).

Para pak vitesh, poeti amerikan-shqiptar Gjekë Marinaj më pat folur me entuziazëm për këtë poeteshë të panjohur për mua,deri aso kohe! Shumë shpejt pata fatin të komunikojë me zonjën Rustamova, për të zbuluar jo vetëm një poeteshë të talentuar, një lirike të ndjeshme dhe të sofistikuar, por dhe një shpirt tepër fisnik femëror,një shpirt aq i gjërë,sa që mund të zërë, ashtu si vetë titulli i gazetës që drejton,‘vetë Botën,.

Përmes komunikimit tonë, asaj iu zgjua interesi për letersinë, poezinë, kulturen shqiptare. Me ka botuar, në gazeten e saj, dy herë, që në faqen e parë, me foto të mëdha, intervista dhe poezi, në po atë numër ku ishin botuar shkrime të Heminguejt dhe të Osip Mandelshtajmit!.. Gjatë fushates së sulmeve barbare kundër Antologjisë Moderne të Poezisë Shqipe, zonja Rustamova bën pjesë në ato pak miq që më shkrojti me shqetësim nga SHBA, ku kishte vajtur për promovimin e botimit të librit të saj, duke më thënë se nuk arrinte ta kuptonte gjithë atë agresivitet të pashëmbëllt kundër një libri poetik…Për një gjë jam e sigurt, shkruante ajo, zilia është njëra ndër arsyet…

Më vonë po ashtu ajo ka botuar dhe poezi dhe intervista te Preç Zogajt, Fatbardh Rustemit dhe Vangjush Zikos. Sot, rastësisht shoh se në faqen e parë të gazetes letrare me 16 faqe, është një foto e një shkrimtari tepër familjar; në të qintën e sekondës më bie ndërmend se është fotoja e Ndre Mjedës, poshtë fotos së Majakovskit! Shoh se e gjithë faqja e parë e gazetes i kushtohet Mjedes , me një shkrim prezantues për poetin tonë dhe me nje cikël të gjërë poetik të tij!…

I shkruaj një mesazh falenderime për botimin e Mjedes, dhe ajo ma kthen me falenderime për poezinë Shqipe…

Në këtë botën tonë moderne, mbizotëruar nga elektronika dhe shkencat robotike, ku lavdërohet inteligjenca artificale, edhe pse AI (artificial intelligence) e pranon vetë se sado e zhvilluar të jetë, nuk arrin as ta kuptojë e as ta krijojë emocionin njerëzor- në këtë botë njerëzit si Xosyat Rustamova, me respektin e madh për poezinë e kësaj bote, me dashurinë dhe respektin për shpirtin njerëzor, me përultësinë e harruar në një botë krekosjesh aggressive, me feminitetin e saj të bukur prej një gruaje me dinjitet- në botën tonë ku bukuria femërorë dhe butësia femërore konsiderohen si aksesore të panevojshme dhe si mite të shpikura të kultures maskuliste-poetesha Xosiyat Rustamova, dhe njerëzit si ajo, janë një shpresë e mbijeteses së normalitetit dhe humanitetit në këtë botën tonë plot dilemma dhe mjergull!

Ju falenderoj, zonja Rustamova, per këtë botim aq të papritur dhe gjithë përkujdesje për poezinë Shqipe!

Lini një koment

Në modë

Blog te WordPress.com.